Kooperativa “Puna e Duarve Tona” pjesë e panairit Agrokos në Prishtinë
Më datat 27 dhe 28 maj 2025, Kooperativa “Puna e Duarve Tona” mori pjesë në panairin Agrokos, i cili u mbajt në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Ky panair mblodhi prodhues dhe vizitorë të shumtë nga e gjithë Kosova dhe më gjerë, duke ofruar një platformë të rëndësishme për promovimin e produkteve vendore dhe shkëmbimin e përvojave.
Gjatë dy ditëve të panairit, stenda e Kooperativës tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të ndryshëm, të cilët shfaqën interesim për funksionimin e saj dhe në veçanti për prodhimin e lajthisë – një nga produktet kryesore që kultivohet dhe përpunohet me përkushtim nga punëtorët dhe fermerët anëtar të Kooperativës.
Në mesin e vizitorëve të rëndësishëm që vizituan stendën tonë ishin edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Sh.T. Albin Kurti, si dhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Sh.T. Imzot Dodë Gjergji, shoqëruar nga famullitari i Prishtinës Don Agim Qerkini të cilët shprehën mbështetje dhe vlerësim për punën dhe angazhimin e fermerëve në zhvillimin ekonomik lokal përmes bashkëpunimit dhe bujqësisë së qëndrueshme.
Pjesëmarrja në panairin Agrokos përbën një hap të rëndësishëm për Kooperativën në drejtim të rritjes së dukshmërisë dhe forcimit të rrjeteve të bashkëpunimit me akterë të ndryshëm institucional dhe ekonomik.










Postimi i kaluar
Postimi tjeter