Kremtohet festa e Shën Gjon Pagëzuesit në famullinë e Zllakuqanit
Më 24 qershor 2025, në Famullinë e Zllakuqanit u kremtua festa e Shën Gjon Pagëzuesit, një ngjarje e rëndësishme për famullinë dhe një moment i veçantë i bashkimit shpirtëror dhe shoqëror.
Siç është bërë tashmë traditë, dreka festive u shtrua në ambientet e jashtme të plantacionit të lajthisë, nën hijen mikpritëse të natyrës dhe në një atmosferë të ngrohtë dhe festive. Koha e bukur i dha edhe më shumë hijeshi kësaj dite të veçantë, duke krijuar kushte të përkryera për bashkëndarje, gëzim dhe festë.
Gjatë viteve, kjo festë është shndërruar edhe në njëfarë mënyre në “festën e lajthisë”, duke marrë një karakter unik dhe të dashur për të gjithë. Të pranishmit jo vetëm që marrin pjesë në ngjarjet shpirtërore dhe shoqërore, por edhe shijojnë peizazhin e mrekullueshëm të fidaneve të lajthisë, që tashmë janë bërë pjesë identitare e kësaj kremteje.
Të pranishmit, që ishin të shumtë në numër, patën mundësinë të marrin pjesë në kremtimin e meshës, si dhe të shijojnë një drekë të përbashkët, ku u ndanë biseda të këndshme dhe mirënjohje për vlerat që kjo festë përfaqëson.
Fondacioni “Drita” falënderon të gjithë ata që kontribuan në organizimin e kësaj feste dhe të gjithë pjesëmarrësit që me praninë e tyre e bënë këtë ditë edhe më të paharrueshme.






Postimi i kaluar
Postimi tjeter