Fillon Projekti i Kooperativës “Puna e Duarve Tona” në Zllakuqan, Klinë

Me gëzim dhe entuziazëm, Fondacioni Drita, që ndër tjera ka për qëllim Zhvillim dhe Mbështetje të Komunitetit, njofton fillimin e projektit të rëndësishëm për zhvillimin e zonës së Zllakuqanit, themelimin e Kooperativës “Puna e Duarve Tona”.

Kjo iniciativë frymëzohet nga dëshira jonë e thellë për të përmirësuar kushtet dhe mundësitë për fermerët dhe grupet bujqësore të vogla në rajonin e Klinës. Duke e kuptuar rëndësinë e sektorit bujqësor për ekonominë tonë dhe për mirëqenien e komuniteteve tona, ne kemi vendosur të angazhohemi në ndihmën e tyre për rritjen e cilësisë së produkteve të prodhuara, përpunimin e tyre dhe plasimin në treg.

Fondacioni Drita pas një periudhe të gjatë përgatitore dhe të kërkimeve intensive, dhe angazhimit të madh të stafit dhe ndihmës së ekspertëve, ka vendosur të ngrit një Kooperativë bujqësore në Zllakuqan, e cila do të ofrojë mbështetje thelbësore dhe ndihmë profesionale, për fermerët dhe grupet bujqësore të cilët kanë pasur vështirësi në qasjen në treg dhe në zhvillimin e veprimtarisë së tyre.

Ne, drejtuesit e projektit, duke qenë se synimi ynë kryesor është të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme, kemi punuar ngushtë me përfaqësues të komuniteteve lokale, ekspertë në fushën e bujqësisë, dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të përgatitur një plan të qëndrueshëm dhe efektiv për themelimin dhe funksionimin e kooperativës.

Në këtë proces, kemi arritur të sigurojmë mbështetjen e një numri të madh të bashkëpunëtorëve, përfshirë donatorë, institucione vendore dhe ndërkombëtare, dhe organizata të shoqërisë civile. Kjo tregon nivelin e lartë të përkushtimit dhe besimit në vizionin tonë për një shoqëri më të zhvilluar dhe më të drejtë për të gjithë.

Përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe angazhimit të gjithë palëve të interesuara, projekti për Kooperativën “Puna e Duarve Tona” ka filluar implementimin e tij me sukses nga data 1 shtator 2023. Ky fillim është një hap i rëndësishëm përpara drejt realizimit të qëllimeve tona për rritjen e prodhimit bujqësor, për të siguruar akses më të gjerë në treg për fermerët dhe për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të komunës së Klinës në përgjithësi.

Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar në ndërtimin e një të ardhme më të ndritur dhe më të qëndrueshme për të gjithë ne. Bashkohuni me ne në këtë rrugë të rëndësishme për të arritur suksesin dhe për të ndikuar në ndryshimin pozitiv të realitetit tonë! Ashtu që të rritet interesi ndaj punimit të tokave bujqësore dhe të zvogëlohet ikja e të rinjëve nga zonat rurale.