Tryeza e Dialogut Ndërfetar

Tryeza e Dialogut Ndërfetar sipas modelit shqiptar

Prishtinë, 21.03.2025 – Në Qendrën Bogdanipolis në Prishtinë, u mbajt tryeza e Dialogut Ndërfetar, e organizuar nga Fondacioni Drita, ku morën pjesë përfaqësues nga komunitetet fetare dhe institucione të ndryshme. Ky eveniment synonte të forconte bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërfetar në Kosovë dhe të inkurajonte dialogun konstruktiv mes grupeve të ndryshme fetare.

Fjalime hyrëse dhe përshëndetëse

Tryeza e Dialogut filloi me fjalime hyrëse nga përfaqësues të Fondacionit Drita, përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues nga Vatikani të cilët e theksuan rëndësinë e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme. Fjalën e hapjes e mbajti Sh.T. Imzot Zef Gashi, president i Fondacionit Drita i cili foli për rolin e dialogut ndërfetar në forcimin e paqes dhe bashkëpunimit në shoqëri.

Panele diskutimi

Pas fjalimeve hyrëse, u zhvilluan tri panele diskutimi, ku panelistët diskutuan tema të ndryshme që përfshinin sfidat dhe mundësitë e dialogut ndërfetar, si dhe mënyrat për të mbështetur paqen dhe tolerancën në shoqërinë kosovare. Çdo panel kishte përfaqësues të lartë të grupeve fetare, si dhe ekspertë të fushës, të cilët ndanë mendimet e tyre mbi rëndësinë e bashkëjetesës dhe zhvillimin e mëtejshëm të dialogut.

Rezoluta e Tryezës së Dialogut Ndërfetar

Një moment i veçantë i ngjarjes ishte nënshkrimi i rezolutës së përbashkët nga përfaqësuesit e bashkësive fetare. Kjo rezolutë, e cila ishte hartuar në kuadër të tryezës së dialogut, kishte në fokus ruajtjen e paqes dhe harmonisë në vendin tonë, si dhe trashëgiminë e kësaj bashkëjetese ndërfetare edhe për brezat në vijim. Nënshkrimi i kësaj rezolute përfaqëson një angazhim të përbashkët të bashkësive fetare për të forcuar lidhjet mes komunitetesh dhe për të kontribuar në një shoqëri më të bashkuar dhe të qëndrueshme.

Darka/iftari i përbashkët

Evenimenti përfundoi me një darkë/iftar të përbashkët, ku të pranishmit patën mundësinë të ndajnë një moment të bashkëjetesës dhe solidaritetit. Ky moment ishte simbolik, duke i dhënë fund një dite të mbushur me diskutime të frytshme dhe theksimin e rëndësisë së bashkëpunimit ndërfetar.

Përfundimi i tryezës dhe mesazhi i rëndësishëm

Tryeza e Dialogut Ndërfetar mbylli punimet e saj me një apel për vazhdimin e komunikimit dhe angazhimit të përbashkët për të ndihmuar në krijimin e një shoqërie më tolerante dhe paqësore. Fondacioni Drita shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoj rëndësinë e angazhimit të përhershëm në promovimin e vlerave të dialogut dhe bashkëjetesës ndërfetare.