“Tryeza e Dialogut Ndërfetar: Mesazhe uniteti dhe bashkëjetese nga liderët fetar dhe institucional”
Më 21 mars 2025, në ambientet e Qendrës Bogdanipolis në Prishtinë, u mbajt Tryeza e Dialogut Ndërfetar, e organizuar nga Fondacioni “Drita”. Ky aktivitet kishte për qëllim thellimin e mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet komuniteteve fetare në Kosovë, duke ofruar një platformë të hapur për shkëmbim idesh dhe mesazhesh paqeje.
Ngjarja u hap me fjalimet përshëndetëse të Presidentit të Fondacionit Drita, Sh.T. Zef Gashi, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Sh.T. Glauk Konjufca, Delegatit Apostolik për Kosovë, Sh.T. Jean Marie Spaich, si dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama. Secili nga ta theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar si themel i bashkëjetesës dhe harmonisë në shoqërinë tonë.
Në mbyllje të tryezës, paneli i liderëve të komuniteteve fetare në Kosovë solli mesazhe frymëzuese e thelbësore mbi paqen, respektin dhe rolin e fesë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme. Në panel morën pjesë: Ipeshkvi i Kosovës, Sh.T. Dodë Gjergji, Kryemyftiu Naim Tërnava, Kryetari i Kishës Protestante Ungjillore, pastor Artur Krasniqi, dhe Kryetari i Bashkësisë Hebreje, z. Hysen Hyseni.
Fjalimi i Sh.T. Zef Gashi-President i Fondacionit Drita
Të nderuar drejtues të Instutucioneve të vendit, i nderuar kryeparlamentar z. Glauk Konjufca,i nderuari kryetari i Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama, të nderuar perfaqësues të komuniteteve fetare, të nderuar ambasador dhe perfaqësues të korit diplomatik, të nderuar përfaqesues të instutucioneve akademike, kulurore dhe shoqerore, të nderuar anëtar të mediave, të dashur miq, vëllezër e motra, zonja dhe zotëri. Ju pershëndes përzemersisht edhe ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj, shpresoj që kjo ditë e bukur e bashkpunimit vëllazëror, e miqësis dhe e dialogut mbi të përbashkët dhe të dallueshme mes nesh të jetë një hap i rendësishem për forcimin dhe unitetin në dallime. Synimi ynë i vetëm është të forcojmë të përbashkten pa cenuar të dallushmen , ashtu si në të kaluaren edhe sot duke u bashkuar në qellime pavarësisht dallimeve mund të shpresojmë për një të ardhme të përbashket për të gjithë . Kjo ditë do të thotë që duhet të forcojmë atë që na bashkon ndërsa dallimet të mos dominojnë mbi të, mbi dashurinë, mirkuptimin dhe respektin, poashtu uniteti nuk duhet të kuptohët si përpjekje për të zhdukur diversitetin tonë.
Është një nder dhe privilegj i veçantë që sot jemi bashkë në këtë tryezë të rendësishme të dialogut ndërfetar të inicuar nga Fondacioni Drita të cilin unë kam nderin ta drejtoj. Fondacioni ynë angazhohet vazhdimisht për të lartësuar vlerat e dialogut dhe bashkjetesës ndërfetare, me këtë qëllim kemi inicuar edhe këtë formë të dialogut ndërfetar për të forcuar përkushtim tonë dhe mirkuptimin, respektin dhe bashkjetesën mes komuniteteve të ndryshme fetare në Kosovë dhe me gjerë. Synojmë qe këtë tryezë ta vazhdojmë edhe ne vitet e ardhëshme sepse jemi të bindur që paqja nuk është një gjendje faktike por një model jete që duhet kultivuar vazhdimisht nga të gjithë ne. Kësaj radhe kemi zgjedhur modelin tonë shqiptarë për t’a forcuar dhe për t’a ofruar si shembull shqiptar, shembull në shoqërin etnike, kombëtare dhe politike si ne lindje ashtu edhe në perëndim pse jo. Pikërisht në këtë kohë kur bota përballët me sfida të shumta përçarje, konflikte dhe tendeca për të vërë dallimet mbi atë që na bahkon ne sot dërgojmë një mesazh të çartë: dialogu është ruga e vetme për të ndërtuar një shoqëri të drejtë të barabartë dhe paqëdashese, modeli ynë i unitetit të përbashët dhe respekti për të dallueshmën është mënyra më e mirë për të motivuar shoqërin drejt një të ardhme më të mirë për të gjithë , ne jemi dëshmitar se Kosova dhe populli i saj kanë një histori të gjatë të bashkjetesës dhe respektit mes besimeve të ndryshme por edhe mes etnive të shumta, kjo është nje trashëgëmi e çmuar që jo vetëm duhet ruajtur por edhe forcuar gjithnjë e me shumë.
Kjo tryezë nuk është thjeshtë një ngjarje simbolike por një hapë konkret drejt ndërtimit të një kulture të përhershme e bashkpunimit ku feja nuk shihet si faktor ndarës por si një urë që lidh njerëzit në shërbim të së mirës së përbashkët, duke uruar pra që puna jonë të jetë e frytshme duhet të falendëroj bashkësitë fetare që kanë bashkpunuar me ne, një falenderim i veçantë kishës Katolike e cila ka ofruar mirkpritjen për ketë ngjarje , po ashtu falenderoj bashkësin Islame të Kosovës , Kishën Protëstante Ungjillore dhe bashkësinë Hebraike për gadishmerinë për bashkëpunim. Shpresoj shumë që vitin e ardhëshem, vitin tjetër mirkpritëse e kësaj tryeze të jetë bashkësia Islame e Kosovës me në krye z. Naim Tërnaven .
Një falenderim të veçantë dua ta shprehë për bordin e përbashkët të fondacionit, bashkëpuntorët dhe vullnetarët e fondacionit Drita dhe të Dioqezës Prizren- Prishtinë për punën e mrekullueshme për të bërë organizimin e kësaj konference, dhe në mënyrë të veçantë i përshendes dhe falendëroj panelistët të cilët do të pasurojnë këtë ditë më kontributet e tyre , ju falendëroj për praninë dhe për përkushtimin tuaj, le të jetë ky takim nje piknisje për iniciativat e reja që do të forcojnë bashkëpunimin tonë në të ardhmen tonë, edhe njeherë ju faleminderit e punë të mbarë.
Fjalimi i Sh.T. Glauk Konjufca-Kryetar i Kuvendit të Kosovës
I nderuari Ipeshkëv Dodë Gjergji, I nderuar myfti Naim Ternava, I nderuar president Fatmir Sejdiu, I nderuar Ipeshkëv Rrok Gjonlleshaj dhe Zef Gashi, I nderuari Delegat apostolik nga Vatikani në Kosovë, zoti Jan Mari Spaish, I nderuar pastori i Kishës Artur Krasniqi, të nderuar të pranishëm, po shoh këtu kryetarin e kryeqytetit tonë, nënkryetarin Hoxhaj të Kuvendit, shkëlqësi ambasadorët që jeni të pranishëm, zonja dhe zotërinj, përfaqësues nga e gjithë shoqëria jonë, nga shoqëria jonë civile, mysafirë të shumtë.
Unë fillimisht do të ndalem në tri momente të cilat i konsideroj shumë të rëndësishme për këtë konferencë, me rastin e së cilës, që në fillim e falënderoj organizatorin. Është shumë e qëlluar. E para, më vjen mirë që kjo konferencë ka vendosur një sintaksë, e cila nga Republika e Kosovës dhe nga populli ynë duhet vërtet të vuloset dhe të shndërrohet në një sintaksë ndërkombëtare, sepse unë besoj vërtet që ekziston një model origjinal shqiptar i bashkëjetesës fetare, një model i cili është origjinal, sepse është vështirë të gjendet diku tjetër. Historia jonë e gjatë e popullit tonë të përvuajtur tregon se në asnjë moment të historisë tonë nuk mund të gjejmë një konflikt I cili ka bazë fetare në popullin tonë, kurse kombi ynë është bartës, natyrisht, i tri feve të mëdha monoteiste, i katër feve te medha monoteiste. Dhe është vërtet për t’u studiuar se si nuk mund të gjendet asnjë tronditje në shoqërinë tonë, në popullin tonë, që eshte bazë fetare. Këtë e kemi parë të gjithë, sepse në historinë e Evropës, janë të paktë popujt që kanë pasur imunitet prej kësaj historie të luftërave të vërtetë të ashpra në kontinentin evropian. Prandaj, kur themi modeli shqiptar, vërtet që ekziston ai dhe duhet të përdoret, duhet të përhapet. Akademikët duhet të prodhojnë sa më shumë literaturë për këtë model, sepse ky model është i vërtetë dhe është pasuri që e kemi dhe duhet ta shpërndajmë dhe ta ndajmë me të tjerët.
Momenti i dytë në të cilin dua të ndalem është termi “tolerancë.” Mendimtarë të ndryshëm nga fusha e filozofisë dhe të dijeve të tjera humane natyrisht kanë një kritikë për termin “tolerancë.” Kritika që i bëhet termit “tolerancë” është se ajo është horizonti i parë që ne fillojmë ta shquajmë në momentin e parë që e kalojmë mosdurimin. Hapi i parë prej mosdurimit në horizontin tjetër është toleranca, dhe tash me thënë të drejten, mua nuk më duket termi më i qelluar për të përshkruar këtë pasuri që e kemi ne, sepse ka mendimtarë të ndryshëm që duke e përshkallëzuar segmentin prej urrejtjes deri te dashuria, dikush i vendos 8 shkallë, dikush 10 shkallë, ka mendimtarë që kanë zbuluar edhe më shumë shkallë dhe horizonte. Por horizonti i parë, i cili na shfaqet sapo e kalojmë mosdurimin, është toleranca. Kështu që, unë do ta ftoja gjithsecilin që shumë më shumë ta përdorim një term tjetër, të cilin besoj që është i vërtetë për popullin tonë dhe për këtë që po dua ta shpjegoj, dhe kjo është “bashkëjetesa.” Bashkëjetesa është më shumë se tolerancë. Mund ta tolerosh tjetrin edhe duke mos biseduar, krijon një distancë higjienike, le të themi një distancë higjienike duke e mbajtur tjetrin si tjetër, një tjetrin të cilin e mirëmban në tjetërësinë e vet. Kurse kjo për të cilën po flasim sot, ky modeli ynë i çmuar, të cilin gjithmonë duhet ta them e thamë edhe më herët ta nderkombëtarizojmë, është bashkëjetesa. Bashkëjetesa, pra, të jetosh bashkë dhe shumë më tepër se sa ta tolerosh tjetrin. Kjo është të jesh bashkë dhe të dialogosh, të mirëkuptohesh, të ecësh përpara së bashku. Kjo mendoj është përvoja jonë si popull.
Momenti i tretë ku dua të ndalem është: të gjithë e dimë që ne kemi këtë pasuri, kemi diversitetin tonë religjioz, por ju e dini që në çdo komb luan një rol shumë të rëndësishëm relacioni. Pra, ai krijon një konstelacion, përqindjet e caktuara të popullsisë fetare që janë në atë popull, që janë në atë shtet, dhe të gjithë e dini që shumica religjioze e popullit të Kosovës është myslimane. Ajo ku dua të vendos theksin është se nuk ka vend në botë, dhe kjo nuk vlen vetëm për konstelacionet religjioze, kjo vlen edhe për konstelacionet etnike të përkatësisë identitare. Nuk ka vend në botë i cili mund të ketë rehati, paqe, stabilitet dhe prosperitet, nëse shumica është kundër kësaj. Nëse shumica është kundër një gjëje të tillë, gjithmonë do të kemi mosrehati, do të kemi dhunë, do të kemi tensione. Prandaj, unë, me këtë rast, bashkohem imzot Gashit, i cili bëri një falënderim për bashkësin islame të Kosovës dhe myftiun Ternava, sepse bashkësia islame vërtet e ka ushqyer, është bërë pjesë e rëndësishme e gjithë kësaj që e shpjegova deri tash, dmth kësaj atmosfere të shëndetshme të bashkëjetesës në popullin tonë dhe këtij dialogimi, natyrisht, së bashku me Dodë Gjergjin, me Kishën Katolike të Republikës së Kosovës dhe me bashkësitë tjera fetare.
Zonja dhe zotërinj, dialogu ndërfetar si një aspekt themelor qytetërimor nuk do të gjejë vend më të përshtatshëm për t’u hapur si temë diskutimi sesa në vendin tonë, në Republikën e Kosovës, por edhe në Shqipëri dhe kudo që shqiptarët jetojnë. Sepse unë konsideroj që është në substancën tonë identitare, kulturore e kombëtare që fenë ta kemi si një koncept plural. Përgjatë historisë së tyre, shqiptarët kanë njohur fe të ndryshme, duke e përbrendësuar shumëllojshmërinë e tyre si aspekt të identitetit të tyre shoqëror, kulturor dhe politik. Nuk do të mund të gjejmë ndonjë moment apo ngjarje në historinë shqiptare kur shqiptarët janë përfshirë kundër njëri-tjetrit të motivuar nga këto dallime. Shqiptarët kanë luftuar ndoshta kundër njëri-tjetrit për pushtet politik, por feja asnjëherë nuk ka qenë motivi për ambicie politike të asnjë formacioni politik shqiptar, sikurse feja nuk është bërë asnjëherë pengesë për realizimin e synimeve kulmore kombëtare të shqiptarëve, siç ishte rasti edhe me shpalljen e pavarësisë të vitit 1912, por edhe me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008. Rilindja Kombëtare Shqiptare, si një lëvizje kulturore dhe politike, përveç se përbëhej nga veprimtarë dhe intelektualë që vinin nga besime dhe bashkësi të ndryshme fetare, duke përfshirë myslimanë, katolikë, ortodoksë, ajo asnjëherë nuk e ndërlidhi zgjimin kombëtar shqiptar me asnjë aspekt religjioz që mund ta kthente fenë në një burim përçarjesh apo përplasjeje në mes popullit tonë. Përkundrazi, në programin politik të Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, krahas gjuhës shqipe, etnisë shqiptare, autoktonisë dhe lashtësisë si popull, pluralizmi fetar u përfshi ndër aspektet themelore të karakterit dhe identitetit tonë modern, të cilin e kemi. Rilindësit tanë, fenë dhe fetë nuk i panë asnjëherë si aspekt për t’u përdorur në kuptimin politik, por i klasifikuan si element përbashkues të popullit tonë.
Në këtë kuptim, kur themi dialogu ndërfetar sipas modelit shqiptar, ne kuptojmë para së gjithash përditshmërinë e bashkëjetesës, përditshmërinë e frytshme të bashkëjetesës tonë, ku njerëzit shohin tek njëri-tjetri besimtarin, pa e paragjykuar asnjëherë besimin. Për shqiptarin besimi është në natyrën njerëzore, prandaj kundër besimit nuk mund të luftohet. Madje, edhe në traditën tonë shqiptare, edhe fjala “bese” është rrënja e fjalës “besim.” Pra, për shqiptarin, njeriu i besimit fetar, pra njeriu i cili ka fe, pavarësisht se cilës i takon, shihet edhe në të njëjtën kohë si njeri i fjalës. Prandaj, nuk gjejmë asnjë fakt në historinë tonë si popull që të kemi luftuar kundër dikujt për shkak të besimit fetar.
Në historinë tonë gjejmë plot prijës fetar që kanë luftuar për kauzën tonë, për çlirim, për lirinë e popullit tonë kundër okupimit dhe janë bashkuar në këto luftëra, pavarësisht a ishin myslimanë, katolikë apo të feve të tjera. Nga Skënderbeu te Ismail Qemali, nga Sami Frashëri te Gjergj Fishta, nga Hasan Prishtina te Fan Noli, nga Adem Demaçi te Adem Jashari, te Ibrahim Rugova dhe tek Nëna Tereze, plejada jonë kombëtare ka qenë gjithnjë pasqyrim i bashkëjetesës shekullore të popullit tonë. Shqiptarët e besimeve të ndryshme fetare jo vetëm që jetuan në paqe në krahinën e tyre kombëtare, por ata edhe u bënë strehë për të tjerët dhe nuk u dëbuan, por përkundrazi u shpëtuan, siç ishte rasti edhe me hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore e kjo është edhe dëshmia më e lartë e këtij virtyti të popullit tonë.
Ju faleminderit shumë dhe u takofshim gjithmonë në kësi tryeza të mira.
Fjalimi i Sh.T. Jean Marie Spaich-Delegat Apostulik për Kosovë
Faleminderit që keni ardhur në këtë tryezë. Së pari, dua të falenderoj Fondacionin Drita, të ftuar nga Dioqeza Katolike Prizren-Prishtinë, nga Ipeshkvi Dode Gjergji. Jam shumë i lumtur që shoh shumë njerëz që vijnë këtu dhe kualitetin njerëzor të këtyre personave. Faleminderit shumë. E falenderoj sigurisht presidentin e Fondacionit, Ipeshkvin Gashi, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, të cilin e njohë prej shumë kohësh, dhe e falenderoj shumë për fjalën e tij, sepse modeli shqiptar është shumë interesant. Edhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Rama, faleminderit që keni ardhur. Falenderoj edhe kolegët diplomatë, të cilët nuk vijnë aq shpesh në ngjarjet e kësaj natyre. Ata janë të interesuar më shumë në pjesën diplomatike, kështu që ju intereson më shumë politika dhe ekonomia, sesa kjo. Por ne themi që është e rëndësishme gjithashtu edhe aspekti ndërfetar, dhe shohim domosdoshmërinë për dialog në këtë fushë. Për këtë arsye, duke qenë Nunc në Slloveni, ne e inkurajojmë këtë edhe në Slloveni dhe më 16 qershor kemi një event aty, diçka si këtu, që e promovojmë paqen dhe dialogun në Ballkan me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve fetare të Ballkanit, sepse zgjidhja e lumturisë, bashkëjetesës dhe harmonisë nuk është vetëm në aspektin politik dhe ekonomik, por gjithashtu në dialog dhe bashkëegzistencën paqësore mes përfaqësuesve të kulturave të ndryshme dhe feve që ekzistojnë në Ballkan. Ju falenderoj shumë për këtë ditë. Është kënaqësi dhe është moment i sinqeritetit, dhe ne mund të vjelim shumë fruta në këtë drejtim. Dua të lexoj edhe deklaratën e pjesëmarrësve, dhe kjo është hapi i parë drejt diçkaje tjetër që ndoshta është edhe më e mirë.
Siç e dini, Selia e Shenjtë promovon dialogun ndërfetar për kohë të gjatë si Kishë Katolike në kontekstin ndërfetar edhe ne mundohemi të zhvillojmë dialogun për mijëra e mijëra vite në shumë mënyra të cilat përcaktohen nga rrethanat kulturore dhe politike të kohës. Por ne kuptojmë më mirë dhe më shumë pas Koncilit të Dytë të Vatikanit dhe shohim domosdoshmërinë e dialogut ndërfetar. Për këtë arsye është themeluar një këshill, digaster që merret me çështje të cilat janë shumë të komplikuara dhe delikate. Dëshiroj të falenderoj kryetarin e Kuvendit, i cili foli për dialogun dhe për tolerancën.
Gjyshi im ishte diplomat dhe, ndërsa isha djalë i ri, më ka thënë: “Nëse ka probleme, thjesht ulu dhe pi një çaj”, dhe në jetën time diplomatike më është dashur të pi me litra të tera çaj vetëm që të ecim përpara. Dhe erdhëm përpara. Kohë pas kohe, na duhet thjesht të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje të mirë. Dhe zgjidhja më e mirë nuk është gjithmonë ajo që e mendojmë dhe duam. Zgjidhja e mirë është që të shohim njëri-tjetrin hap pas hapi, dhe kjo është absolutisht thelbësore. Dhe po e shoh organizimin e sotëm në këto rrethana, në këtë kuptim. Ne, evropianët, vijmë nga një kulturë e lashtë dhe e mrekullueshme në kontinentin tonë, dhe me gjenerata, kontinenti ka pasur konflikte të ndryshme të cilat duhet t’i trajtojmë. Dhe gjithmonë mendojmë që është fundi i botës, por fundi i botës vjen vetëm nëse vendos Zoti, jo ne, dhe për këtë arsye ne duhet të punojmë për dialog, duhet të punojmë për paqe dhe të ecim përpara. E nëse është e domosdoshme, të ulemi, të pijmë një çaj, të qetësohemi dhe të ecim përpara.
Askush nuk kërkon nga tjetri që të jemi në dashuri me njëri-tjetrin, por të fillojmë gjithçka me respekt, të respektojmë larminë, diversitetin, diversitetin në kushte njerëzore, në arsim, larminë apo diversitetin në besimet tona fetare. Kurrë mos harroni, dora ka pesë gishta dhe gishtat janë të ndryshëm, dhe secili nga gishtat ka funksion tjetër, por dora ekziston dhe funksionon vetëm nëse kemi pesë gishta. Nëse Zoti lejon larminë kulturore dhe dallimet e ndryshimet në besime e fe, ne duhet t’i respektojmë ato. Ne thjesht duhet ta ndërtojmë dorën që e kemi, dhe kjo nuk është e lehtë, duke pasur interesa të shumta politike, ekonomike dhe hegjemoniste, dhe për këtë arsye, ne, fetarët, duhet ta sjellim këtë plus të humanitetit, që t’ua hapim njerëzve sytë dhe zemrat dhe t’u themi njerëzve që ekziston diçka tjetër.
Një prej urdhërave të Zotit është paqja, dhe rruga drejt paqes është respekti, toleranca dhe dialogu. Dhe për këtë arsye, edhe Selia e Shenjtë është e interesuar në modelin shqiptar, sepse ju e keni në kulturën tuaj, me shekuj, një mënyrë për të qenë. Ju e keni ruajtur, ju e keni promovuar me shekuj, duke pasur momente të nivelit të lartë dhe të ulët, momente të mira dhe të këqija. Disa herë funksionon, disa herë jo, por nuk është e rëndësishme, duhet të ecim përpara. Dhe modeli shqiptar mund të jetë shumë interesant për tërë kontinentin evropian, i cili nuk është mësuar me tolerancë. Ne kemi pasur shumë konflikte me baza religjioze në shekujt e kaluar dhe na është dashur që ta tejkalojmë këtë. Dhe vetëm mbani mend që kemi dorën me pesë gishta. Për këtë arsye, kemi në Selinë e Shenjtë një digaster, një këshill për dialog ndërfetar, e promovojmë dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë. Ju uroj të gjitha të mirat në këtë tryezë. Është një moment i shkëlqyer, shfrytëzojeni mençur.
Fjalimi i Z. Perparim Rama-Kryetar i Komunës së Prishtinës
Përshëndetje të gjithëve! Kënaqësi e veçantë me qenë sot në këtë konferencë shumë domethënëse të dialogut ndërfetar.
I nderuar President Sejdiu, i nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca, i nderuar Myfti Naim Ternava, i nderuar Monsinjor Dodë Gjergji, i nderuar Nunci Apostolik i Vatikanit, Sh.T Jean Marie Spiech, zonja dhe zotërinj, të gjithë ju miq të nderuar të paqes, i nderuar z. Barbano, z. Hoxha, z. Quni, Dr. Hyseni, të nderuar mysafirë, është një nder i veçantë që sot mund të flas para këtij auditori jo vetëm si Kryetar i Qytetit, por edhe si bashkëudhëtar në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt paqes.
Paqës, jo si një ideal kurr jo krejt i jetësueshëm,jo si ëndërr por si diçka reale, diçka e gjallë, paqës e cila nis brenda nesh dhe që nga ne përhapet në bashkësitë tona dhe madje formëson mjediset ku jetojmë. Kjo është ajo për të cilën dua të flas sot, si me qenë vet paqja.
Dhe dua të ndaj me ju se si ky lloj transformimi i brendshëm mund ta rishkruaj skemën e qyteteve tona, të shoqërive tona dhe kështu të ardhmen tonë të përbashkët. Paqja nuk mund dhe nuk duhet të mbetet vetëm në botën e brendshme. Vendet ku jetojmë, rrugët ku ecim, ndërtesat ku hyjmë, sistemet me të cilat ndërveprojmë janë pasqyrime të vlerave që ngërthejmë. Qytetet tona nuk janë vetëm çelik dhe beton, ato janë pasqyrë e vetëdijes sonë kolektive, të vlerave që mbajmë dhe të marrëdhënieve që krijojmë.
Tash imagjinoni një qytet të ndërtuar mbi këtë të vërtetë, një qytet ku çdo rrugë, çdo ndërtesë, çdo shesh projetohët që ta pasqyroj pikërisht këtë filozofi: se paqja nuk është ndonjë ëndërr naive, por paqja është realitet i prekshëm, e si e kthejmë këtë në veprim, si e e kthejmë paqen e brendshme në një arkitekturë të jashtme? Si ndërtojmë qytete që jo vetëm arrijnë të mbijetojnë, por që lulëzojnë duke filluar nga paqja jonë e brendshme?
Rrugët sot i kemi të ngjeshura sepse janë krijuar për konkurrencë e jo për bashkësi. Le ta riimagjinojmë trafikun, për shembull, si një hapësirë të përbashkët me sheshe për këmbësorë, ku luajnë fëmijët, me shtigje bicikletash, me korridore të gjelbërta, rjedhë pra, dhe jo bllokim. Këtu flas për ndërtresat, ndërtesat e shenjta që nuk duhet të jenë vetëm struktura, por mekanizma që forcojnë ndërlidhjen tonë. Me terasa çatishë të mbushura me kopshte që ushqehen nga shkollat dhe qendrat tona komunitare, rrjete solare që furnizojnë bibliotekat, shtëpitë, projekte banimi të përbashkëta ku fqinjët i këmbejn idetë dhe kujdesin për njëri-tjetrin. Sepse kur muret shndërrohen në ura, e kuptojmë se përparimi ndodh ndërmjet ndërveprimit.
Pra le ta shohim këtë si një mundësi për të ndërtuar një shoqëri ku qëllimi nuk është vetëm mbijetesa, por lulëzimi i gjithsecilit prej nesh. Një vend ku çdo fëmijë, çdo fqinj, çdo i huaj shihet jo si një i panjohur, por si pjesë e të njëjtës familje.
E ky e thërras që është një zgjim kolektiv. Nuk është kjo vetëm një ide që varet nga një kryetar, një lider, një ligj, apo një politikë. Është një lëvizje që ndodh kur arrijmë një masë kritike të vetëdijes kolektive. Pra, kur 10% e një komuniteti ndryshon mënyrën e të menduarit, i gjithë sistemi avancon. Kur zgjedhim paqen në vend të frikës, dashurinë në vend të mungesës, ne ndryshojmë jo vetëm vetveten, por ndryshojmë edhe vendet ku jetojmë, qytetin ku jetojmë. E së shpejti edhe turistët që vinë e na vizitojnë për historinë dhe për të kaluarën, pra nuk do të rrinë këtu e nuk janë vetëm tranzit, por do të vijnë për të parë një qytet që vetëm është ngritur nga e shkuara, por edhe bëhet model i së ardhmes.
Prandaj, sot ju pyes të gjithëve: A duam të jemi paqja që ndërton? A duam të mbledhim pemë nga plasaritjet e të kaluarës? Së bashku, pra nuk ndërtojmë thjeshtë një qytet, le të jemi së bashku paqja që rindërton botën.
Faleminderit!
Fjalimet nga paneli i liderëve të bashkësive fetare në Kosovë
Fjalimi i Kryemyftiut Naim Tërnava
Me emrin e Zotit mëshirues, mëshirplotë, mëshirues, i nderuari Ipeshkëv i Kishës Katolike, z. Dodë Gjergji, i nderuari delegat apostolik i Vatikanit, z. Jean Marie Spiech, i nderuari president i Fondacionit “Drita”, monsinjor zotëri Zef Gashi, i nderuari pastor i Kishës Protestante, z. Artur Krasniqi, i nderuari udhëheqës i komunitetit hebre, z. Hysen Hyeni, të nderuar të pranishëm, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj.
Tashmë është e ditur se shoqëruesi më i hershëm, udhëheqësi i parë dhe udhërrëfyesi me jetëgjatë për njeriun është feja, respektivisht besimi në Zotin. Kjo për faktin se, siç dihet nga historia, njeriu i parë në këtë botë, Ademi a.s., që është edhe pejgamberi i dërguar i Zotit, që do të thotë se Krijuesi i gjithësisë që në zanafillë të njerëzimit dhe atë që me njeriun e parë, atë e shoqëroi edhe me mësimet dhe udhëzimet se si duhet të sillet, si të veprojë, me normat e edukimit, përgjegjësitë në këtë botë, por edhe se si duhet të përgatitet për botën e ardhshme.
Kështu, pra, njeriu është shoqëruar nga feja që nga zanafilla e tij dhe vazhdon deri në ditët e sotme, pavarësisht se nëpër çfarë rrethanash, kushte, rendesh shoqërore, kulturore dhe historike ka kaluar shoqëria njerëzore. Ai është shoqëruar nga feja dhe në të njëjtën kohë mund të themi se po, pikërisht feja ka iluminuar shoqërinë në çdo etapë të zhvillimit të saj. Prandaj, jo rastësisht thuhet se përgjatë historisë ka pasur shoqëri pa arsimim, pa edukim, pa zhvillim, pa ngritje kulturore, apo pa pushtet, mirëpo asnjëherë nuk njihet ndonjë shoqëri a popull të ketë mbetur pa fe.
Është mëse e qartë se feja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm dhe të shumanshëm në historinë e njerëzimit, duke ndikuar në kulturën, moralin, organizimin shoqëror, por edhe në zhvillimin politik dhe ekonomik. Natyrisht, se gjatë zhvillimit të shoqërisë në periudha të ndryshme historike, roli i saj ka ndryshuar, duke reflektuar për nevojat dhe revolucione të shoqërisë. Edhe në shoqërinë bashkëkohore, roli i fesë është i shumanshëm dhe shumdimensional, gjithnjë duke ruajtur misionin e saj primar, atë të përgatitjes dhe të edukimit shpirtëror të njeriut, besimtar përballë egos së lakmis materiale dhe egos emocionale.
Mirëpo, duke theksuar se roli dhe ndikimi i fesë në shoqërinë bashkëkohore varet nga disa faktorë, si nga konteksti kulturor ai social, gjeografik, politik, dhe gjithsesi, faktor të rëndësishëm ka edhe ai historik, për faktin se janë shumë të rëndësishme marrëdhëniet dhe relacionet që kanë pasur popujt në rrugën e tyre të kombformimit dhe krijimit të identitetit të tyre me fenë apo fetë e tyre.
Më se i ditur, i prekshëm dhe konkret është kontributi dhe roli i fesë në ndërtimin e identitetit të një populli apo të nje shoqërie. Madje, ndikimi i fesë është përbashkues edhe te popujt me etni dhe gjeografi të ndryshme, duke theksuar se roli i fesë edhe në shoqërinë shqiptare është i ndikuar nga historia e saj e pasur dhe dinamike, dhe se feja ka luajtur një rol të rëndësishëm përveç të tjerash edhe në formimin dhe formësimin e identitetit tonë kombëtar.
Feja te populli ynë ka një meritë të veçantë në ruajtjen e traditave, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore të krijuar dhe kultivuar me shekuj. Populli ynë, prej shekujsh, u përket dy feve që kanë dominuar në historinë e njerëzimit që nga paraqitja e tyre e deri më sot: feja e krishterë dhe feja islame, e që të dyja këto fe kanë rol dhe merita të paçmuara në krijimin e identitetit të popullit tonë gjatë udhëtimit të tij në shekuj. Jo vetëm kaq, sigurisht që roli dhe misioni i feve, si në çdo shoqëri, edhe në shoqërinë tonë, është i shumanshëm, shumdimensional dhe i shtresuar thellë në qenien dhe historinë e popullit tonë, si në aspektin e ngritjes shpirtërore, ashtu edhe në aspektin moral, social, kulturor, arsimor, ekonomik dhe historik.
Prania dhe bashkëekzistenca e dy besimeve më të mëdha monoteiste në botë, Islami dhe Krishtërimi, te populli shqiptar ka bërë që harmonia dhe mirëkuptimi ndërfetar të jetë domosdoshmëri historike për të shërbyer kështu si mjet dhe faktor që ka siguruar unitetin kombëtar dhe ekzistencën e vet si komb, duke i dhënë e përfituar atij vlerën e patjetërsueshme shekullore, atë më të çmuarën, që shumë vende të botës e kërkojnë medoemos harmoni dhe bashkëjetesë ndërfetare, madje edhe ndër etnike dhe ndërkulturore.
Gjykuar në pikëpamjen horizontale sinkronike, shqiptarët janë një popull ku bashkëjetojnë të dyja fetë abrahamike, Krishterimi dhe Islami, të cilat ekzistojnë së bashku prej shekujsh për të organizuar në komunitete, bashkësi apo kishat e tyre përkatëse, të udhëhequra, të drejtuara nga prijësit e tyre, të cilët meritojnë respekt dhe mirënjohje për hedhjen e themeleve të bashkëjetesës dhe harmonisë ndër ne.
Bashkëjetesa, mirëkuptimi, harmonia dhe respekti ndërfetar i shqiptarëve janë vlera tradicionale të njohura dhe të pranuara botërisht. Këto vlera shqiptare janë të njohura dhe të çmuara edhe nga të huajt, dhe në një mënyrë mund të them me plotë gojën se harmonia dhe mirëkuptimi ndërfetar i kultivuar te shqiptarët dhe ndër shqiptarët tashmë është vlerë dalluese dhe identifikuese e popullit tonë, vlerë të cilen e çmojnë si në lindje, si në perëndim, si në Mekë, Vatikan e Jerusalem.
Por, kontribut të rëndësishëm në harmoninë dhe mirëkuptimin ndërfetar që kultivohet ndër ne me shekuj e që duhet të na mbajë krenar të gjithve më meritorët janë prijësit e shquar të komuniteteve tona fetare, sidomos ata që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare, të cilët me urtësi, vizion dhe përgjegjësi krijuan në mesin e besimtarëve kushte, premisa për mirëkuptim, harmoni dhe bashkëjetesë, duke kultivuar dhe promovuar ndjesinë e besimit në Zotin, ndjesinë e përkatësisë së përbashkët, ndjesinë e vëllazërisë hyjnore, si dhe duke promovuar idenë dhe platformën e shtetformimit e kombformimit.
Po ashtu, duke interpretuar besimet si një pasuri dhe vlerë e jo si bela dhe shkas për përçarje, urrejtje e mosdurim. Në këtë rrafsh, prijësit e shquar të të gjitha komuniteteve fetare të shqiptarëve ishin të vetëdijshëm se duhet shpjeguar, interpretuar fenë sipas mësimeve të Zotit të madhëruar. Pastaj ata promovuan dhe kultivuan sintagmën e njohur: musliman dhe të krishterë: Kemi një Zot të vetëm, që e besojmë dhe e adhurojmë në forma e doktrina të ndryshme, por kjo asesi nuk është dhe nuk duhet të jetë sebep për huti, përçarje e mosdurim.
Me shumë përgjegjësi dhe me një vetëdije të lartë, paria fetare e jonë, në formën më të mirë, formoi pika të përbashkëta të popullit tonë, gjëra dhe vlera të përbashkëta si etninë, gjakun, gjuhën, flamurin, zakonin, ku na ka krijuar i madhi Zot. Një meritë të veçantë e parisë tonë fetare dhe institucionet tona fetare, ruajtja e besimtarëve dhe popullit tonë nga orvatjet e armiqve tanë, që besimet tona ti perdorin si mjet për t’i përçarë shqiptarët. Këtë hile e këtë mision të kobshëm për ne, paria fetare arriti që ta parandaloj dhe të deshtoj që në zanafillë të tij. E në vend të grackave të armiqve, ata kultivuan drejt besimet e feve.
Në këtë rast, kujtojmë Haxhi Imer Prizrenin, Haxhi Vehbi Dibrën, Don Nikollë Kaçorrin, Gjergj Fishtën, Ismail Nikoçin,Fan Nolin, Mulla Idriz Gjilanin, deri te haxhi Sabri Koçi e Atë Zef Pllumin, të cilët, përveç parisë sonë fetare, prisit e shquar me sukses arritën të mbjellin të kultivojn për të na tarashëguar neve kulturën, respektin për besimin e tjetrit, duke konsideruar fenë tjetër si besim dhe doktrin të vëllait të tij. Nderimin për prisin e fesë tjeter, për imamin dhe priftin duke i parë e duke i trajtuar si përsonalitete të përkushtuara ndaj Zotit, na trasuan pacenueshmeri, shejtrinë e objekteve të kultit të cilitdo besim.
Kështu që, xhamia, kisha, sinagoga e të tjera janë trajtuar dhe trajtohen si hapësira ku i falemi dhe i lutemi Zotit, por mbi të gjitha, prijësit fetarë dhe institucionet edukativo-arsimore fetare, pastaj objektet e kultit të ne promovuan besimin e tyre, por në të njëjtën kohë respektuan, çmuan e vlersuan besimin e vëllezërve të tyre.
Këto parime e bëjnë popullin tonë të veçantë bashkë si bashkësi tona të veçanta xhamitë e kishat tona, të veçanta ndërsa prijësit tanë të urtë, fisnik dhe vizionar që kanë lënë pas një trashëgimi pozitive të paçmuar, kanë bërë histori me vlera qytetruese dhe humane duke kultivuar harmoninë e mirkuptimin ndërfetar dhe këtë e kanë kthyer në vëllazëri bazuar në mësimet hyjnore.
Të nderuar të pranishëm, motra dhe vëllezër, këto vlera që i përmenda më lart bashkëjetesa ndërfetare, harmonia ndërmjet besimeve, si dhe mirëkuptimi dhe bashkëveprimi në funksion të popullit dhe vendit – i kemi kultivuar me shumë sukses edhe gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, ku ne si popull u përballëm me okupimin agresiv nga ana e Serbisë, aso kohe qe një mobilizim i përgjithshëm për ta refuzuar nënshtrimin e okupimit edhe në këtë rast, rol të rëndësishëm kanë pasur dy bashkësitë tona fetare, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike, të cilat qenë në ballë të popullatës për t’i udhëzuar dhe për ta përballuar situatën e krijuar. Infrastruktura e dy bashkësive fetare Xhamia dhe Kisha u dhanë në funksion të qështjes kombëtare,në shërbim të popullit për të mbijetuar dhe për të realizuar projektin që sot e kemi realitet në vendin tonë të lirë dhe demokratik
Në këtë rrafsh, nuk ka dyshim se janë shumë meritorë edhe dy udhëheqësit tanë të mençur, të urtë dhe vizionarë, dhe këmbëngulës në misionin e tyre, Myftiu Dr. Rexhep Boja dhe Ipeshkvi i nderuar Mark Sopi ndjes pastë të cilët bënë më të mirën për ta ruajtur dhe për ta kultivuar, në kohë dhe ditë të vështira, kohezionin shoqëror brenda kombit tonë, promovuan dhe demonstruan në formën më të mirë paraqitjet e tyre të përbashkëta në forumet kombëtare dhe harmoninë dhe mirëkuptimin ndërfetar si vlera të popullit tonë, si dhe kërkesat legjitime të popullit tonë për liri e mëvetësi.
Nga e gjithë kjo që u tha, më lejoni të theksoj se harmonin dhe mirëkuptimin ndërfetar populli ynë nuk e ka mësuar nga teoritë e shkruara në libra, nuk e ka mësuar nga auditorët universitarë, nuk e ka mësuar në platformat ad’hoke promovuese, por e ka të mbjellur dhe të ujitur nga mësimet, ligjerimet, veprimet konkrete të prijësve tanë të shquar, të kultivuara në misionet e bashkësive tona, në xhami, kisha apo shkollat tona, të transmetuara te besimtarët tanë me sinqeritet dhe përkushtim e populli ynë i ruan këto vlera dhe i kultivon deri në ditët e sotme.
Është obligimi ynë ta ndjekim rrugën, mësimet dhe trashëgiminë e të parëve tanë në institucionet dhe kultet tona, sepse harmonia, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa janë vlerat për të cilat sot bota dhe njerëzimi kanë më shumë nevojë për to. Ne këto i kemi, duhet të krenohemi me to, duhet të krenohemi me parardhësit tanë, me prijësit tanë dhe me popullin tonë të mrekullueshëm.
Përgëzoj Kishën Katolike, Ipeshkvin Dodë Gjergji, si dhe Fondacionin “Drita” për këtë aktivitet që na ka bashkuar, ti kujtojmë vlerat e popullit tonë të sëndërtuar gjatë historisë sonë të dhimshme, por të lavdishme, dhe për të rikonfirmuar se jemi të përkushtuar ne si bashkësi dhe si prijës të saj, për të bërë më të mirën për bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe harmoninë e besimive të popullit tonë. Duke ju përshëndetur dhe duke ju falënderuar, dhe duke ju kërkuar falje ndoshta pak për zgjatjen, njëherazi dëshiroj të konfirmoj atë që propozuat sot edhe këtu në mëngjes, që vitin që vjen, Bashkësia Islame e Kosovës, në koordinim me Kishën Katolike dhe me bashkësitë tjera, do të përgatisë një konferencë të këtij lloji.
Ju faleminderit!
Fjalimi i Ipeshkëvit të Kosovës Sh.T. Dodë Gjergji
Të nderuar pjesëmarrës, liderë fetarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, kori diplomatik, dhe ju të gjithë të pranishëm, miq të dialogut ndërfetar dhe mbështetës të paqes mes nesh
Më lejoni që në fillim ta falënderoj FONDACIONIN “DRITA” për këtë iniciativë dhe për besimin që na ka dhënë për të qenë mikpritësi i parë i kësaj nisme. Ose, thënë në mënyrë figurative, që kjo sofër e Dialogut të shtrohet në Shtëpinë tonë. Po, padyshim do të jemi kështu të lumtur kur vitin e ardhshëm të ulemi në këtë tryezë, në ambientet e Bashkësisë Islame në Kosovë, pastaj edhe te të tjerët.
Është e rëndësishme të theksoj se bashkëjetesa në diversitetin fetar dhe uniteti etnik, gjuhësor e kulturor është një pasuri e paçmueshme që e kemi trashëguar nga të parët tanë. Lirisht mund të themi se dialogu ndër ne vjen nga përvoja e jetës në dashurinë dhe mirëkuptimin vëllazëror. Vërtet, ky është bërë një kod jete që askush nuk dëshiron ta shkel apo ta ndryshojë, edhe, po të dojë dikush ta ndryshojë, nuk e arrin.
Këndej, ulja jonë rreth kësaj tryeze të Dialogut nuk është thjesht një mundësi shtesë për të reflektuar njohuritë intelektuale, doktrinare apo filozofike mbi dobinë e dialogut. As ndonjë urgjencë që lidhet me nevojën e promovimit të tolerancës mes nesh, e aq më pak një nevojë akute për të shuar mosmarrëveshjet.
Për ne, është një moment i bukur ku mund të kremtojmë dashurinë ndërvëllazërore. Një festë e përbashkët mes vëllezërve që herë duhen, herë-herë ngatërrohen, por gjithnjë pajtohen pa vështirësi dhe vetë gjejnë rrugën e pajtimit, pa e dëmtuar paqen mes tyre. Ky dimension i qenies tonë, i ka përcjellë shqiptarët në histori dhe është shndërruar në një sintezë të identitetit dhe harmonisë mes nesh.
Kur flasim për modelin shqiptar të dialogut ndërfetar, duhet të kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me një formulë doktrinore që buron nga besimet tona, një përvojë të imponuar nga konfliktet e dikurshme, apo me një eksperiment shoqëror të kohëve moderne.
Por, bëhet fjalë për një proces të brendshëm: të trashëguar nga përvoja historike si evolim natyror i jetesës brenda rrethanave të vështira historike. Ky proces ka mundësuar që të bashkëveprojmë, bashkëqëndrojmë dhe bashkësynojmë një të ardhme të mirë. Kur do të realizoheshin qëllimet e shumë gjeneratave: të jetojmë në paqe, të kemi lirinë dhe të sigurojmë mirëqenie për fëmijët tanë. Ky është thelbi i ekzistencës sonë të ndarë, por jo të përçarë.
Sot, në botën ku jetojmë, shumëkund dallimet janë bërë arenë konflikti dhe përçarje. Por, edhe në këtë realitet të dhimbshëm të ditëve tona, ne shqiptarët duhet të gjejmë përgjigjen e duhur për vështirësitë e reja, dhe të vazhdojmë të dëshmojmë se diversiteti fetar, dhe çdo dallim tjetër,
- nuk duhet të cenojë bashkimin e njerëzve në ambicien e tyre për të arritur qëllimet pozitive.
- bashkëpërpjekjen për të ndërtuar paqen sociale dhe
- bashkëpërgjegjësinë për njëri-tjetrin.
Duam të ofrojmë përvojën tonë si kontribut për të gjithë të tjerët, pasi ne jemi dëshmi e gjallë që uniteti në diversitet është i mundur. Jemi të bindur se feja, vërtetë, na bën të besojmë ndryshe, por nuk kërkon të përçahemi dhe se Krijuesi i përbashkët na fton ta duam, e jo ta urrejmë njëri-tjetrin. Me këtë bindje, të parët tanë nuk lejuan që dasitë fetare të ndërtojnë mure mes nesh, apo të krijojnë kufij ku duhet të ndahemi, por ruajtën dashurinë ndërvëllazërore si një hapësirë që përfshin të gjithë, respekton lirinë dhe nuk mohon të përbashkëtën.
Kjo mënyrë e kuptimit të dallimeve nuk na lejon të krijohen iluzione për shoqëri ideale, të hutohemi pas uniteteve të rreme, ose të frikohemi nga ata që përpiqen të na përçajnë. Por, vazhdimisht motivohemi për të shuar konfliktet, për të sheshuar dallimet. Mbi gjitha për të përhap aromën e dashurisë, pajtimit dhe faljes, që mundësojnë bashkëjetesë në harmoni.
Ky model nuk është një sistem artificial i vendosur mbi shoqërinë, por është një përvojë shoqërore e rrënjosur thellë në kulturën, historinë dhe ndërgjegjen tonë kolektive, edhe pse mungonte dhurata e paqes politike, e drejta shoqërore dhe liria kolektive.
Kështu që, sa herë analizojmë rrënjët e kësaj harmonie, të ndërtuar mbi konceptin e bashkëjetesës që nuk kufizon ndërveprimin shoqëror dhe nxit dashurinë ndërvëllazërore, natyrshëm shtrohet pyetja: Si ka qenë e mundur të ruhen këto vlera në mungesë të paqes, mëvetësisë dhe lirisë? Përgjigja është e thjeshtë: Populli ynë ka ditur të jetojë dritën e shpirtit të vet duke jetuar me shpresë errësirën historike, përmes së cilës ka kaluar, duke jetuar me njëri-tjetrin paqësisht. E, duke respektuar diversitetin e vet fetar në lagje, në rrethin shoqëror dhe në familje, me dinjitet, me respekt dhe bashkëndjesi për njëri-tjetrin. Vërtet, vetëm kështu, duke shpresuar së bashku, do të arrinin tri vlerat e munguara: paqen, lirinë dhe mëvetësinë.
Pikërisht kjo është arsyeja pse ne nuk kemi pasur kurrë konflikte fetare brenda nesh, dhe kemi arritur të ruajmë unitetin etnik, gjuhësor dhe kulturor. Këndej, për ne sot, dhe për gjeneratat që do të vijnë, dashuria ndërvëllazërore dhe bashkëjetesa në paqe mbetet amanet që duhet mbajtur. Pasi, vetëm me këtë unitet mund të gjejmë forcën për t’u përballuar me sfidat e kohës, të ruajmë identitetin tonë etnik-kulturor, të japim kuptim paqes dhe të shijojmë frytet e lirisë. Sepse forca jonë nuk buron nga homogjeniteti, por nga harmonia mes diversiteteve tona. Pikërisht kjo filozofi mendimi dhe kjo formë jete mund të jetë model për botën.
Pikërisht, siç e theksoi Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, kur e quajti vendin tonë “një shembull të harmonisë fetare që bota duhet ta mësojë.” Ky është një vlerësim që nuk buron nga propagandat apo iluzionet e idealizuara, por nga vetë realiteti ynë historik.
Modeli ynë nuk është thjesht një bashkëjetesë pasive, një tolerancë e ftohtë që pranon tjetrin për hir të paqes sipërfaqësore. Por është një ndërveprim aktiv, një përqafim i dallimeve, dhe një vullnet për të bashkëndarë vlerat më të mira me njëri-tjetrit. Kjo është ajo që na dallon nga shumë përpjekje të tjera për dialog ndërfetar, pasi ne nuk kemi nevojë të ndërtojmë ura; ne jetojmë mbi këto ura, ose jemi ura vet.
Vetëm se këto vlera nuk duhet t’i marrim si të mirëqena, por duhet t’u japim dimensionin e lirisë, duke jetuar këtë liri në paqe dhe duke respektuar lirinë e personit, pavarësisht se liria e dikujt, nuk përputhet me vlerësimet apo dëshirat tona.
Çdo përpjekje për të cenuar lirinë e individit, apo çdo këmbëngulje për të qëndruar mbi urën e bashkëjetesës që e kanë ndërtuar të parët tanë, pa lirinë e lëvizjes së të tjerëve drejt nesh dhe pa mundësinë tonë për të lëvizur drejt të tjerëve, vlerat tona mbeten vetëm histori.
E, si rrjedhojë, as nuk do të mundemi ta ruajmë unitetin. Aq më pak do të kemi mundësi të ofrojmë modelin tonë si ofertë për të tjerët. Këndej, le të angazhohemi, si në të kaluarën ashtu edhe sot, të jetojmë realitetin e diversitetit fetar duke ruajtur unitetin mes nesh dhe shpresën e përbashkët për një të ardhme të sigurt. Pasi, jam i bindur se dashuria ndërvëllazërore në kushtet e lirisë dhe realitetin e paqes na mundëson që këto vlera të bashkëjetesës në paqe t’i shtrijmë jashtë nesh, te ata me të cilët duhet të bashkëjetojmë në Kosovë, por edhe si model për popujt e Lindjes dhe Perëndimit.
Thirrje për të ardhmen
Në një botë ku narrativat e përçarjes po bëhen gjithnjë e më të forta, është detyra jonë të tregojmë se ka edhe një rrugë tjetër: rruga e dashurisë, bashkëjetesës së sinqertë dhe respektit të ndërsjellë. Pasi, jemi shembulli më i mirë, më i dukshëm dhe dëshmia më e mirë, se është e mundur të kemi bashkësi shoqërore me diversitetet njerëzore, kulturore e fetare, ku mbizotëron ndjesia e dashurisë dhe respektit, dhe jo frika nga njëri-tjetri.
Për këtë arsye, më duhet të falënderoj Fondacionin “Drita” që ka marrë iniciativën për të organizuar këtë tryezë dialogu. Dhe jam i bindur se do ta vazhdojë këtë iniciativë.
Pasi, të gjithë ne këtu jemi të bindur, siç ka thënë Papa Françesku, se: “Paqja nuk ndërtohet me traktate, por me zemrat e njerëzve që e zgjedhin atë çdo ditë.” Ne shqiptarët e kemi bërë këtë zgjedhje prej shekujsh dhe sot është dita për ta pohuar sërish, jo vetëm si një amanet nga e kaluara, por si një premtim për të ardhmen.
Le ta ruajmë këtë pasuri dhe ta shpërndajmë atë si një dritë udhërrëfyese për një botë më të mirë! Faleminderit!/drita.info
Fjalimi i Artur Krasnit-Pastor dhe Kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosoves
Të dashur vëllezër dhe motra, nikoqirë të këtij takimi, organizatorë të nderuar, i nderuar Kryetar i qytetit, z. Rama, të nderuar udhëheqës të bashkësive fetare, miq të dashur, zonja dhe zotërinj,
Është një privilegj i madh dhe nder për mua të jem sot para jush, ndërsa jemi mbledhur në këtë takim kaq të rëndësishëm për komunitetet fetare në vend, në këtë dialog ndërfetar, sidomos në kohë kur përçarja shpesh mbizotëron në lajme dhe ajo bartet në rrugë dhe në zyra, ku shpesh duket se fuqia mbytë arsyen. Ne sot jemi këtu për të dëshmuar diçka më të madhe, fuqinë e unitetit, respektit të ndërsjellë dhe lirisë së besimit.
Kosova, para një çerek shekulli, ka përjetuar thellësinë e vuajtjes, luftës dhe humbjes. Shumë qytetarë të vendit tonë dhe besimtarë kanë histori personale të kësaj dhimbjeje, dhe këto histori dhimbjesh na kanë formësuar edhe ne jetë. Megjithatë, ne e dimë se shërimi i vërtetë nuk gjendet në heshtje apo në shmangie, por në dialog dhe mirëkuptim. Për shumë kohë, dallimet fetare janë përdorur si mjete për ndarje apo ndoshta të tjerët i kanë përdorur për të na përçarë, por sot jemi këtu për të shpallur së bashku se dallimet tona fetare mund të jenë ura lidhëse për bashkëjetesë dhe për respekt.
Bibla, Shkrimi i Shenjtë, na mëson: “Nëse është e mundur dhe varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit” (Letra e Palit drejtuar Romakëve). Ky varg nga apostulli Pal, predikuesi i kësaj paqeje dhe ungjilli që e solli atë deri në Iliri para dy mijë vjetësh, na kujton se paqja është një përpjekje aktive, një përgjegjësi e secilit prej nesh. Nuk mjafton vetëm që të shmangim konfliktin dhe dhunën, por ne duhet të punojmë gjithë së bashku me përkushtim për të ndërtuar marrëdhënie që janë të bazuara në dashuri dhe në respekt.
Miq të dashur, liria fetare është një e drejtë themelore e njeriut, nuk është një privilegj i rezervuar vetëm për shumicën, nuk është një koncept që duhet të diktohet prej presioneve politike apo atyre shoqërore. Çdo person në Kosovë, pavarësisht besimit të tij, duhet të ketë të drejtën të jetojë, të adhurojë dhe ta ndajë besimin e tij pa frikë. Liria fetare është bazamenti i një shoqërie të lirë dhe demokratike. Kur kjo liri mbrohet, një komb lulezon, jo vetëm shpirtërisht, por edhe shoqërisht dhe ekonomikisht. Ato kombe në botë që e kanë përqafuar dhe janë ndërtuar mbi këto të vërteta sublime, sot janë kombe të bekuara. Dialogu fetar dhe bashkëjetesa fetare nuk është një matematikë kokëfortë numrash dhe përqindjesh, por është një gatishmëri përulje e drejtuar nga forca e dashurisë. Dialogu fetar dhe bashkëjetesa fetare janë një vlerë kombëtare e Kosovës që duhet investuar çdo ditë në të, ashtu siç po bëjmë sot. Pra, nuk është një aset në dorën e dikujt për ta përdorur e keqperdorur vetëm kur i duhet, e për këtë liri ka shumë përgjegjësi.
Si njerëz të besimit, ne duhet të tregojmë respektin që ne duhet ta marrim. Duhet të angazhohemi së bashku në biseda, jo për të treguar kush ka të drejtë dhe kush ka gabim, por për të dëgjuar, për të mësuar dhe për ta dashur njëri-tjetrin. Feja nuk duhet të jetë kurrë shkak për armiqësi, as të manipulohet për qëllime politike. Përkundrazi, feja duhet të na frymëzojë për drejtësi, pajtim dhe paqe. Jezusi tha: “Lum pajtuesit, sepse ata do të quhen fëmijë të Perëndisë.” Nëse ne duam të jemi të bekuar nga Perëndia, ne duhet të jemi drejtues të paqes, të jemi ata që sjellim shpresë aty ku ka përçarje. Kjo është arsyeja pse, miq të dashur, dialogu është kaq i rëndësishëm. Dialogu ndërfetar nuk është një shenjë dobesie, por force. Nuk është kompromis i bindjeve, por përkushtim për bashkëjetesë. Ndoshta ne kurrë nuk do të besojmë njëjtë në Kosovë, por ne sot mund të biem dakord që çdo qenie njerëzore ka dinjitet, ka një rëndësi në këtë vend dhe çdo person duhet të ketë lirinë të shprehë besimin e vet. Këtë të drejtë duhet ta njohim secilit në Republikën tonë.
Siç u tha edhe sot më herët, ne, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, duhet të jemi të zëshëm për këtë liri. Kosova jonë e dashur ka mundësinë të shkruajë historinë e saj. Ka mundësinë ta shkruajë këtë histori në atë mënyrë që brezat e ardhshëm do të shohin se si një ditë një komb zgjidhi unitetin mbi ndarjen, lirinë mbi shtypjen dhe paqen mbi konfliktin. Psalmisti në Psalmin 133, vargu 1 thotë kështu: “Sa e mirë dhe e këndshme është kur vëllezërit banojnë bashkë në unitet.” Sot, do doja të lexoja këtë Psalm të Biblës mbi vëllazërinë tonë si komb, si qytetarë të lirë të Kosovës. Ne, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, duam të qëndrojmë fort për ta mbrojtur këtë liri, paqe e pluralizëm, dhe këtë vëllazëri.
Sot, jemi bashkë në këtë vend për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët. Lutem dhe shpresoj që kjo deklaratë nuk është një deklaratë për sirtar, as për media, por një testament për brezat e ardhshëm, një thirrje për bashkëjetesë, një kushtrim që bëjmë për Kosovën, një gur i çmuar për këtë vend. Prandaj, ju ftoj që të punojmë për një të ardhme ku uniteti dhe dashuria do të triumfojnë mbi fërgën dhe mbi ndarjen.
Faleminderit!
Fjalimi i Hysen Hyseni – përfaqësues i Komunitetit Hebre
Faleminderit! Atëherë, unë falënderoj Fondacionin “Drita”, i cili na ka mundësuar që, më në fund, të takohemi pas kaq shumë vitesh dhe të organizohet një takim i tillë, një tryezë kaq e vlefshme për këtë hapësirë këtu në Kosovë. E vlefshme jo vetëm për komunitetet fetare, por edhe për krejt popullin e Kosovës. Në fakt, kjo verteton vetëm se çfarë harmonie ekziston mes grupeve të ndryshme fetare në Kosovë. Kjo ka ekzistuar gjithmonë, dhe fatmirësisht po vazhdon, dhe shpresoj që edhe në gjeneratat e reja do të vazhdojë në këtë mënyrë, ashtu siç e bënë të parët tanë, ne dhe pas nesh. Brenda katër vitesh, sidomos udhëheqësi ynë ka qenë dhe është ambasada amerikane. Ambasadori, në një takim me të gjithë ne, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, mes tjerash, kërkoi të dinte se çfarë mund të bëjë për të ndihmuar. Dhe, natyrisht, më pas unë në çdo takim me përfaqësues të komuniteteve fetare kam kërkuar që patjetër të organizojmë një tryezë ndërfetare, dhe këtë e realizuat ju si Fondacion “Drita”, që është nga komuniteti katolik, dhe arritëm që edhe unë të marrë pjesë në këtë takim ndërfetar dhe të jap mendimin tim. Jam shumë i nderuar që mund të jap mendimin tim në praninë edhe të myftiut, edhe të ipeshkvit, dhe të familjes Krasniqi, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për Kishën Protestante.
Më duhet të tregoj një detaj shumë interesant, i cili më ka lënë mbresë gjatë karrierës sime si mjek. Unë kam punuar në mjekim intensiv për minimum 20 vjet, vetëm me raste të rënda. Atje ka pacientë që nuk kanë prespektivë, dhe në një moment vjen një prift protestant amerikan dhe më lut: “A mundem unë të lutem për këta të sëmurë nëse dikush pranon?” Dhe, meqenëse ne kishim dy-tre pacientë që ishin të vetëdijshëm, por pa prespektivë, i pyeta ata nëse ishin të gatshëm të pranonin që një prift protestant të lutej për ta. Unë, nga jashtë, nga larg, e kam përcjellë lutjen dhe komunikimin mes pacientëve në gjendje të rëndë dhe priftit. Ajo ka qenë diçka hyjnore. Çfarë dua të them është se të gjithë jemi nga monoteizmi dhe askush nuk e ka kuptuar më mirë këtë se popullata shumicë e këtij vendi, dhe pavarësisht nga përkatësitë e ndryshme fetare, gjithmonë ka jetuar në harmoni.
Përveç kësaj, ne patjetër gjithmonë jemi të falënderuar sepse një prift, një imam, një musliman apo një prift tjetër protestant gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos gjatë kohës së Holokaustit, vendosi veten në rrezik për të shpëtuar jetën e hebrejve. Kjo është e paharrueshme, jo vetëm sepse ata i kanë përmbajtur kodit të besës, por edhe sepse ka diçka tjetër, një lidhje tjetër civilizuese, njerëzore, që popullata shumicë e këtij vendi e vlerëson shumë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne edhe për kohën e sotme, sepse jemi në një kohë shumë të vështirë dhe Holokausti po përsëritet. U përsërit sërish, më 7 tetor, dhe kjo popullatë duhet të tregojë një mirëkuptim dhe të vazhdojë që gjeneratat të ndihmojnë. Ne kemi familje, shumë nga ato janë të gravuara me javashim, të cilat kanë ndihmuar popullatën hebreje. Po ashtu kemi një numër gati dyfishin e atyre që nuk janë të regjistruar dhe për të cilët do të fillojë regjistrimi. Kjo tregon se një popullatë e përkatësisë tjetër fetare ka ndihmuar një popullatë të përkatësisë fetare tjetër, madje ja ka mundësuar të gjitha kushtet të jetojë sikur të ishte pjesë e popullatës muslimane, po e marrim shembull, vetëm e vetëm për t’u mbrojtur nga nazizmi. Konkretisht, në këtë moment për çka po flas, po dua të them që komunitetet e ndryshme fetare në Kosovë gjithmonë kanë ndihmuar njëra-tjetrën, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe gjithashtu në luftën e fundit në Kosovë. Po ashtu, mund të themi se këtu ka ndodhur një holokaust dhe popullata shumicë e Kosovës e ka obligim që popullatës hebreje gjithmonë t’i gjindet në ndihmë, sepse u është gjendur gjithmonë. Dhe miku nuk është për një ditë, por është për gjithmonë.
Pashë këtu ligjërata shumë interesante dhe jam shumë i lumtur që pata mundësinë të dëgjoj shumë gjëra të mençura nga analistë të ndryshëm fetarë. U fol edhe për multireligjionin, u fol për qëllimet e reja në Europë, të cilat unë plotësisht i pranoj dhe i përkrahi, për arsye se gjeneratat e reja, dhe kjo po ndodh edhe me ne këtu, për arsye të ndikimit të shkencës dhe arritjeve të mëdha që po ndodhin çdo ditë, po ndryshojnë shumë gjëra dhe duhet të jenë të pranueshme. Ne, të komunitetit hebre, Bet Israel Kosova, mendojmë se nuk ka kaskort dhe ndasi mes komuniteteve fetare. Kemi pasur harmoni gjithmonë, dhe unë jam i mendimit që komunitetet e mëdha fetare duhet t’i ndihmojnë komunitetet e vogla fetare. Nuk do të ketë diversitet nëse ne nuk i njohim edhe komunitetet e tjera. Madje, mendoj që vitin e ardhshëm ose në tryezën e ardhshme duhet të ftohen edhe komunitete të tjera, të cilat janë kontribuese dhe janë një numër shumë të rëndësishëm. Edhe ata duhet t’i njohim. Duhet të jemi të hapur për të gjithë të tjerët, por edhe të komunikojmë dhe të kemi harmoni, ashtu siç kemi pasur, dhe ta rrisim këtë harmoni dhe të jemi shembull dhe model për të tjerët. Por, nuk mund të jemi model nëse këta të vegjlit nuk i respektojmë. Patjetër duhet t’i respektojmë të vegjlit, t’u ndihmojmë për të qenë më të rëndësishëm, më kontribues dhe më të pranueshëm për të tjerët.
Unë e di që ju sot jeni shumë të lodhur, por do t’ju tregoj se pas luftës së fundit, komuniteti ynë hebraik, fatkeqësisht, ka humbur të gjithë dokumentacionin dhe arkivën tonë në Prishtinë dhe Kosovë, dhe na i kanë marrë. Por, shpresoj që përmes shtetit do t’i marrim, do t’i kthejmë. Janë dokumente shumë të rëndësishme për praninë e të gjitha gjuhëve dhe kontributet hebraike në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Jemi komunitet i vogël, por jemi një komunitet që do të strukturohemi dhe forcohemi çdo herë më shumë. Dhashtë Zoti që Kosova, ashtu siç ka pasur dy sinagoga, ta kemi edhe ne tonën një, ta ndërtojmë një. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Perparim Rama, dhe jemi shumë falënderues për komunikim të mirë dhe mirëkuptim ndaj nesh. Dhe, shpresoj që edhe institucionet e nivelit qendror do të kenë një mirëkuptim dhe do të arrijmë qëllimet tona, të cilat janë shumë të rëndësishme për këtë vend, këtë shtet. Ne nuk mund të prezantohemi jashtë pa diversitet. Diversiteti është vlerë, e vlerësojmë shumë, dhe ju faleminderit. Nuk do ta teproj më shumë.












Postimi i kaluar
Postimi tjeter